venerdì 8 febbraio 2008

Jeta ne hapesirat publike

Kur frekuentohet një shesh apo rrugë e qytetit të lind natyrshëm pyetja: hapësirat publike përdoren në mënyrë të barabartë nga të gjithë qytetarët? A ka pasur ndryshime në përdorimin e këtyre hapësirave si rrjedhojë e imigracionit gjatë viteve të fundit? Jemi munduar të dimë diçka drejtpërdrejtë nga ata që jetojnë në Udine, përmes ca intevistave bërë “autoktonëve” dhe të huajve. Nga opinionet e marra rezulton se, jeta në hapësirat publike ka një peshë më të madhe për gratë sesa për burrat, ndoshta ngaqë gratë kanë një lidhje më të ngushtë me ambientin në të cilin jetojnë, ku kalojnë më shumë kohë dhe kryejnë detyrime që janë të lidhura me drejtimin e familjes.
Personat i kemi klasifikuar në dy kategori: “lokalë”(autoktonë, të lindur në Udine ose të ardhur nga zona përreth Udines e të stabilizuar në Udine prej kohësh) si dhe të “ ardhurit e rinj” (të ardhur nga vendet që bëjnë dhe që nuk bëjnë pjesë në Komunitetin Europian). Janë të shumta çështjet e përbashkëta për të dyja kategoritë. Më të përmendurat janë ato mbi mungesën e respektit për hapësirat publike dhe indiferenca që kanë shumë njerëz mbi këto hapësira. Sheshet dhe lulishtet frekuentohen nga autoktonët njësoj si imigrantët, por ka dhe ndryshime të vogla si në drejtimin e këtyre hapësirave ashtu edhe në sjelljen vetjake të atij që i frekuenton. Megjithëkëtë, pjesa më e madhe e të intevistuarve kanë pranuar se ndihen të kënaqur që jetojnë në kryeqëndrën friulane. Përsa i përket përceptimit mbi sigurinë kjo varet shumë nga vendi, por nuk mungojnë dhe të papriturat. Zona e stacionit që njihet më shumë si e “pasigurt” për disa qytetarë shihet si zonë shumë e frekuentuar dhe me gjallëri: “Ballafaqimi me të tjerët krijon identitetin e një personi e të një qyteti” thotë drejtori i bibliotekës së qytetit të Udines, Romano Vecchiet. Është bukur të shohësh këtë shumë kombësi sepse do të thotë që qyteti është i gjallërueshëm. Të ballafoqohesh ditë për ditë në këto hapësira me njerëz me kulturë e origjina të ndryshme të bën të kuptosh se gjërat ndryshojnë dhe që duhet të sforcohemi për të garantuar një bashkëjëtesë të qetë për të gjithë qytetarët”. Shpesh dëgjohet nga gazetat për akte vandalizmi, mashtrime e thyerje të ligjit siç thotë Paola, por janë vetë mediat që trasmetojnë lajme të preokupueshme mbi atë ç’ka ndodhë në hapësirat e përbashkëta dhe kjo nuk bën gjë tjetër vetëm se rrit ndjenjën e pasigurisë. Arsyen e zmadhimit të ndodhive negative nuk dimë ta shpjegojmë por me siguri nuk ndihmon në dhënjen e sigurisë për ata që jetojnë në vende të tilla. Është e preokupueshme edhe tendenca në botën e informacionit e cila i jep fajin e çdo gjëje që ndodh të “huajit”. Jo vetëm që vihet theksi mbi sjelljen jo civile të disave duke harruar edukatën e gjithë të tjerëve, por gjithmonë synohet të deklarohet kombësia dhe origjina sikur të jetë një hallkë dalluese që ka të bëjë drejtëpërdrejtë me aktin e kryer. Problemet e bashkëjetesës edhe pse të pranishme në vendet publike, ndeshen edhe në rrethin më të ngushtë, atë privat, kur thjesht bëhet fjalë për komshitë. Është zonja Donatela, qytetare udineze në mesomoshë, që na flet për një farë sikleti dhe që e jeton me një farë vështirësie praninë e shumë të huajve jo vetëm në hapësirat publike, por edhe kur kthehet në shtëpi.
Vërtet më pozitive kanë qenë komentet e dhëna nga ata që kanë ardhur kohët e fundit në Udine, qoftë ai punëtor imigrant apo student universitar. Të “ardhurit e rinj” deklarohen mjaft të kënaqur mbi gjëndjen e tyre dhe mendojnë se Udine është një qytet i pëlqyeshëm dhe i qetë ku të jetosh. E dhënë pozitive kjo, e konfirmuar edhe nga opinionet e shumë qytetarëve shqiptarë. Të bën të mendosh edhe perceptimi i ndryshëm mbi faktin siguri: në përgjithësi qytetarët jokomunitarë gjënden mirë pa dallime, në çfarëdo anë të qytetit. Edhe mbi shërbimet, përdorimi është i njëjtë me rezidentët e gjykimet janë të dhëna në mënyrë pozitive. “Nuk kam asnjë lloj problemi, përdor dhe frekuentoj vendet publike pa asnjë vështirësi- na thotë zonja Drita, shqiptare. – Ndihem e qetë, e sigurt, e integruar e them se edhe familja ime e mendon si unë. Gratë më të reja, në veçanti studentet, duket sikur i jetojnë me një farë druajtjeje vendet pak të hapura, ndër to parqet me pemë të larta e të ngjeshura, zonën e stacionit dhe disa rrugica të Udines. Këto vënde u japin një farë pasigurie të rejave sidomos kur bëhet natë. “Preferoj rrugët plot me njerëz që të ndihem më e sigurt –thotë Isida, 20 vjeçare”.
Pra duket se jeta në Udine, ngjan me një “cep të parajsës” për shumë qytetarë shqipëtarë; ndihen si në shtëpinë e tyre tashmë, sepse për disa Udine është kthyer në shtëpinë e vërtetë dhe nuk është vetëm një urë kalimi për në vënde të tjera, por një qytet ku të integrohesh e të jetosh mirë me të gjithë. Udinezët duken më pak të gatshëm për të dhënë një gjykim entuziast mbi qytetin e tyre, por nuk kanë munguar edhe mendimet e shumë prej tyre ku kanë deklaruar se ndihen të sigurt e të mbrojtur dhe se e shohin prezencën e të huajve si një fakt natyral me të cilin janë mësuar tashmë. Në fund të fundit është për të thënë se çdo qytetar “autokton” apo “ i ardhur i ri” duhet të eksplorojë vëndin në të cilin jeton e duhet të krijojë lidhje me të tjerët në këto hapësira publike. Ështe vetëm në këtë mënyrë që, imagjinojmë, se mund të formohet bindja personale, dhe jo thjesht mbi bazën e “kështu kam dëgjuar”, por mbi vetë eksperiencën personale. Cilësia e jetës në rrugët dhe hapësirat e hapura është një kusht i domosdoshëm derisa një shoqëri të mbështetet mbi një shkallë të lartë bashkë ekzistence. Intervistat e shkurtëra që kemi kryer përgjatë rrugëve të qytetit tonë, nuk kanë asnjë kuptimi statistikor. Megjithatë ato bëhen dëshmi të një mënyre edhe pse jo të përgjithshme, mbi atë çka lexohet në mjetet e informacionit, të përballosh tema delikate siç është në fund të fundit integrimi dhe bashkëjetesa paqësore mes personash të kulturave shpesh të largëta, por që janë të lidhura nga dëshira për të përmirësuar cilësinë e ekzistences vetjake.


Marsela Memishahi

Nessun commento: