venerdì 8 febbraio 2008

interviste me Arminda Hitaj

nga Roland Ndoci

Arminda Hitaj, lindur e rritur në Shkodër, me në xhep një diplomë në Shkenca biologjike, ka lënë Shqipërinë 13 vjet më parë dhe që nga 1997 jeton në Udine. Me një eksperiencë të gjatë si mediatore kulturore, është presidente e Ucai (Unioni i bashkësive e shoqatave të të huajve) që vepron në territorin e provincës së Udines. Tek Ucai marrin pjesë 52 shoqata me një objektiv të përbashkët, atë të integrimit të të huajve. E kemi intervistuar për të kuptuar cilat janë veprimtaritë kryesore të Ucai dhe projektet për të ardhmen.

- Shoqatat që marrin pjesë në Ucai janë të shumta: cilat janë etnitë dhe komunitetet më të mëdha në numër ?
“ Tek Ucai marrin pjesë shoqata që përfaqësojnë shumë etni, arrijnë në 42 me saktësi. Mund të thuhet se kemi të bëjmë me njerëz që vijnë nga të pesë kontinenentet e tokës, megjithëse me numra të ndryshëm”.
- Si është e organizuar puna në Ucai, për sa i përket përfaqësimit të etnive të ndryshme?
“ Organigrami i Ucai parashikon një këshill drejtues të përbërë nga shtatë veta dhe një komitet ekzekutiv të përbërë nga pesë anëtarë, kompetencat e të cilëve janë të shpjeguara qartë në statutin e shoqatës. Bashkësitë e përfaqësuara në në Këshillin drejtues janë ata të ardhura nga Shqipëria ( e përfaqësuar prej meje), nga Mali, Ghana, Russia e Senegal, bashkësi të cilat janë edhe në numër më të madh në territorin udinez”.
- Cilat janë aktivitetet që bën shoqata?
“ Veprimtaritë e Ucai-t janë të shumta: veprimtaria kryesore i përket krijimit dhe vazhdimësisë së qendrës interkulturore multietnike, në të cilën veprojnë jo vetëm të regjistruarit dhe të aderuarit në Ucai, por edhe shoqata të tjera. Me fjalë të tjera qendra është e hapur edhe për propozimet që na vijnë nga realitete të tjera”.
- Cili ka qënë reagimi i bashkësisë italiane dhe i institucioneve kur është themeluar Ucai?
“ Reagimet kanë qënë pozitive, edhe pasi jemi një shoqatë pa qëllime fitimi. Unioni ka lindur nga një nevojë konkrete e evidentuar pas një leximi të vëmendshëm të situatës e të panoramës lokale: ndjehej mungesa e një koordinimi mes subjekteve të ndryshme. Në këtë mënyrë ofrojmë një pikë referimi jo vetëm të huajve e shoqatave që marrin pjesë, por edhe për istitucionet lokale që ndërveprojnë me bashkësitë e të huajve”.
- Po shoqatat si janë përgjigjur ?
“Edhe në këtë rast shumë mirë: më parë nuk kishte asnjë lidhje mes shoqatave të ndryshme të të huajve në provincën e Udines dhe shumë shoqata përdornin një banesë private si seli ligjore të shoqatës. Tani shumë prej tyre kanë selinë pranë Ucai-t dhe koordinimi u jep mundësinë të bëjnë projekte që përfshijnë më shumë realitete. Në selinë tonë shoqatat kanë në dispozicion lokale ku mund të mblidhen, të organizojnë ekspozita e të tjera aktivitete kulturore e informative”.
- Procesi i integrimit kalon edhe përmes njohjes së ndërsjellë. A ka projekte apo veprimtari që prekin këtë aspekt?
“Jemi duke çuar përpara disa projekte mbi promuovimin e kulturës dhe të gjuhës së Vendit prej ku vihet, me organizimin e festave kombëtare me valle, muzikë, ekspozim të veshjeve popullore e të pjatave karakteristike, por edhe duke realizuar konferenca në të cilat qëllimi është të bëhet e ditur kush jemi, prej nga vijmë, cilat janë resurset dhe si duam t’i përdorim në këtë proces njohjeje e shkëmbimi”.
- Gjatë festës së komunitetit shqiptar kishte edhe njerëz të etnive të tjera?
“Në festa marrin pjesë shumë njerëz. Këta evente janë një pikë takimi për bashkëatdhetarët ( më shumë se 600 ishin të pranishëm), por paraqesin edhe raste të hapura për të gjithë me pjesëmarrjen e personave të etnive të ndryshme, të hapura në njohjen e kulturave të tjera”.
- Cili është raporti me autoritetet lokale e me mediat?
“ Në aktivitetet e shumta që organizojmë kemi gjithnjë praninë e autoriteteve që sjellin përshëndetjet e organeve që përfaqësojnë. Na ndihmojnë edhe nga ana financiare, por me pjesëmarrjen e tyre aktive pëlqejnë vetë veprimtaritë e Ucai-t. Për lajmërimet përdorim të gjitha mjetet në dispozicion: nga letra e shtypur në reklama në radio e në televizionin lokal, me rezultate të mira”.
- Për të huajt e brezit të dytë, çfarë keni parashikuar?
“Jemi duke realizuar kurse për promuovimin e gjuhës dhe të kulturës së prejardhjes për fëmijë, si mjet për tu pasuruar në nivel kulturor dhe për të bërë që këta të mitur të mos ndjehen të huaj kur kthehen në vendin e tyre të prejardhjes.Rezultatet pozitive që kemi patur këtë vit kanë bërë që projekti të paraqitet sërish edhe për vitin 2008. Një projekt i dytë i rëndësishëm është edhe realizimi i një laboratori teatror, projekt ky që do të mbyllet me spektaklin përfundimtar në muajin shkurt 2008”.
- A ka ndonjë vëmendje të veçantë për gratë?
“ Këshilli drejtues i Ucai-t përbëhet nga pesë gra ndër shtatë veta. Dua të nënvizoj që veprimtaritë e Ucai-t nuk janë eskluzive për një seks të caktuar apo të lidhura me kushte të tjera, por të hapura për të gjithë. Kemi paraqitur një projekt bashkë me Shërbimin e mundësive të njëjta për të lehtësuar e për të ndjekur gratë në procesin e futjes në punë”.
- Ju vetë bëni pjesë në një proces integrimi. Cilat janë vështirësitë që keni ndeshur?
“ Janë ato tipike të atij që lë pas shpatullave atdheun e tij, të afërmit e tij dhe i duhet të fillojë prej zeros në një vend të ri. E rëndësishme është të fiksohen disa objektiva, të vendoset se çfarë duam të bëjmë dhe të gjejmë këmbënguljen e durimin e nevojshëm për të zgjidhur problemet apo pengesat që paraqiten”.
- Për imigrantët e rinj cilat janë problematikat kryesore?
“Integrimi është një proces, i përbërë nga shumë etapa: duhet përshtatur, duhen kuptuar cilat janë kompetencat tona dhe cilat mundësitë që territori ofron dhe, para së gjithash, të mësohet gjuha. Ucai është duke bërë projekte me entet formative dhe në vitet e kaluara ka realizuar edhe kurse të gjuhës italiane për të huajt”.
- Të dish gjuhën jo gjithmonë është e mjaftueshme për të njohur cilat janë të drejtat e detyrat.
“Jemi duke bashkëpunuar me Komunën e Udine-s, Asgi dhe Mediatori di Comunità për të favorizuar njohjen e të drejtave dhe detyrave.Bëhet fjalë për takime të organizuara në vendet më të frekuentuara nga të huajt sepse shpesh, shume prej tyre nuk paraqiten pranë sporteleve”.
- A vazhdoni të mbani lidhje me vendin prej nga vini? A ndjeheni më shumë italiane apo shqiptare?
“ Jam një shqiptare që tashmë ka kaluar një të tretën e jetës së saj në Itali. Gjendem shumë mirë këtu, më pëlqen të jetoj në këtë vend të ri, por natyrisht vazhdoj të mbaj lidhje familjare, miqësie e shoqërie me njerëzit e mij që jetojnë ende në bregun tjetër të Adriatikut”.

Nessun commento: